Tek Vllaznia janë duke i dhënë dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen e së shtunës ndaj Laçit, që do të startojë edhe kampionatin e ri për kuqeblutë. Stafi teknik po bën gati formacionin dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me këtë takim ndërkohë që pavarësisht ardhjes së brazilianëve ditët e fundit, duket se në formacion do të jenë futbollistët të cilët kanë zhvilluar të plotë fazën përgatitore në Ohër.

Kjo është mëse normale në fakt sepse trajneri Jonuz dhe stafi i tij e njeh mirë tashmë gjendjen e tyre ndërkohë që i duhet kohë për të parë gjendjen e të huajve të sapoardhur dhe po ashtu, edhe për përshtatjen e tyre me pjesën tjetër të skuadrës.

Ajo që ka më shumë rëndësi se çdo gjë tjetër në këto momente është marrja e një fitoreje ndaj Laçit sepse kjo do të ishte mënyra e duhur për t’i bërë nisjen e duhur kampionatit të ri që shënon edhe rikthimin e Vllaznisë sërish në Superiore.

Pritet që numri i tifozëve shkodranë në këtë ndeshje të parë, të jetë i madh në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi” pasi ata duken të etur për ta parë Vllazninë në fushë dhe për më tepër janë kurioz për të parë ndryshimet e fundit që ajo ka pësuar.
© shkodrasport.com