Koplikasit vijojnë përpjekjet e tyre për ta forcuar skuadrën me lojtarë cilësorë në prag të sezonit të ri dhe përveç emrave me “peshë” si Borshi e Dyca, stafi teknik i ka hapur derën edhe elementeve të reja, kryesisht atyre të dalë nga Akademia Vllaznia.

Njëri prej tyre është edhe mesfushori Alfons Kulla. Ai ka nisur tashmë stërvitjen me koplikasit dhe pritet të firmosë në ditët në vijim me këtë skuadër.

I datëlindjes 31 janar 2000, Kulla prej vitesh është pjesë e Akademisë Vllaznia megjithatë drejtuesit e klubit nuk i kanë ofruar mundësinë e firmosjes së një kontrate ndonëse ka qenë ndër futbollistët e evidentuar nga drejtuesit e Akademisë.

Në këto rrethana, mesfushori shtatëlartë ka menduar si zgjidhje vazhdimin e karrierës tek Veleçiku. Ai konsiderohet një element i rëndësishëm për këtë repart nga ana e trajnerit Besnik Duli.

Objektivi i Veleçikut në sezonin e ri padiskutim që do të jetë mbijetesa në kategorinë e parë dhe padyshim që nuk do të jetë e lehtë sepse gara mendohet të jetë shumë e fortë, ashtu si dhe në sezonin e kaluar.
www.shkodrasport.com