Sekretari i Përgjithshëm në FSHF, Ilir Shulku shpreson që protokolli i hartuar për të mundësuar rifillimin e Kategorisë superior të mos refuzohet.

Në një intervistë për “A2 Cnn”, Shulku thekson edhe faktin se nëse një futbollist rezulton pozitiv ai do të futet në karantinë, ndërsa pjesa tjetër e skuadës do i nënshtrohet testit dhe në rast negativiteti, do të vazhdojë si normalisht.

“Nuk besoj se protokolli ynë nuk do të refuzohet, pas takimeve që ne kemi zhvilluar me përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë. Shpresoj se do të kemi një reagim pozitiv dhe jo refuzim. Në bisedë është rënë dakord për të gjitha pikat e protokollit sanitar.

Është rënë dakord që para seancave stërvitore dhe ndeshjeve, lojtarëve dhe stafit, do t’u matet temperatura dhe nëse dikush do të shfaqë simptoma, atëherë do t’i nënshtrohet tamponit.

Nëse një futbollist do të rezultojë pozitiv me koronavirus, ai do të karantinohet, ndërsa ekipi do të vazhdojë. Ekipit do t’i bëhen tamponët dhe nëse do të jenë negativë, do të vazhdojnë ndeshjen”, u shpreh Shulku. /VipSport/