Prej disa vitesh është në epiqendër të futbollit të femrave në Shqipëri, me lojën dhe golat e saj. Për kapitenin e ekipit “Juban Danja” Klaudia Rrotani, dita e sotme është e veçantë sepse feston 25 vjetorin e lindjes.

Një ditëlindje që vjen në një periudhë pa ndeshje dhe aktivitet dhe ky duket se është një nga arsyet pse ky pëvjetor nuk është si gjithë të tjerët për këtë vajzë e cila e ka mendjen vetëm tek futbolli, por gjithsesi është ditëlindje dhe kuptohet që këtë përvjetor do ta festojë vetëm me familjarët dhe njerëzit e saj të afërt.

Rrotani ka lindur në Rranxa dhe pasioni për futbollin i ka lindur që në moshë të vogël duke e admiruar këtë lojë prej babait dhe gjyshit të saj, ngaqë të dy ata kanë luajtur futboll. E nëse bashkëmoshataret e saj zgjidhnin lojëra të tjera, kryesisht për vajza, Klaudia luante futboll me djemtë.

Një ditë mësoi se në Juban, është krijuar i pari ekip i futbollit të femrave në Shqipëri dhe ajo nxitoi të bëhej pjesë e saj. Atëherë ishte vetëm 13 vjeç, pra viti 2008 dhe që prej atij momenti dhe deri më sot, Klaudia Rrotani vazhdon të luajë për ekipin “Juban Danja”, ku mban edhe shiritin e kapitenes.

Ka fituar dy Kupa të Shqipërisë duke luajtur me të dhe në dy- tre momente të tjera ka qenë edhe pranë të shpallurit kampion, ndonëse nuk ia doli bashkë me vajzat e tjera të ekipit që ta arrinte këtë emocion të madh për një sportiste. Prej shumë vitesh, është edhe pjesë e ekipit tonë kombëtar duke qenë kësisoj një nga emrat e spikatur të futbollit të femrave në vendin tonë.

Gazeta “Shkodra Sport” i uron Klaudia Rrotanit edhe 100 vite të tjera të lumtura dhe një karrierë sa më të suksesshme në të ardhmen!
© shkodrasport.com