Shkodran Mustafi nuk po kalonte një sezon pozitiv te Arsenali në këtë sezon në drejtimin e Unai Emeri. Por, tashmë që spanjolli është larguar, duket se situate mund të ndryshojë. Mbrojtësi me origjinë shqiptare thekson se me Mikel Artetën, ekipi është më i bashkuar dhe ish-ndihmësi i Guardiolës ia ka dalë t’i ketë të gjithë futbollistët në krahun e tij. Ndërkaq, 28-vjeçari thekson se me Artetën ka mësuar gjëra të reja.

“Ai e di ekzatësisht se ku duhet të jenë lojtarët kur e kanë topin dhe si duhet të reagojnë kur e humbasin atë, është shumë special.

Kur pasoj jam gjithnjë i fokusuar se ku duhet të jem nëse e humbasim topin, megjithatë ai kërkon që unë të kontribuoj edhe në fazën ofensive. Kur je në moshën 28-vjeçare dhe luan në disa vende të ndryshme, mendon se i di të gjithë. Por, më pas vjen Arteta dhe ka gjëra të cilat as nuk i kam menduar më parë.

Ndonjëherë, nuk e kuptojmë sa e vështirë është puna e trajnerit. Nga 25 futbollistë, ndoshta 20 janë dakord me teknikun dhe pesë mendojnë se duhet të luajmë në një tjetër mënyrë. Po, që kur ka ardhur Arteta të 25 futbollistët jemi me të dhe kjo nuk është e lehtë për t’u arritur.

E kuptojnë të gjithë dhe çfarëdo që ai thotë ka kuptim. Nuk ka asgjë për t’u ankuar. Të gjithë kemi përfituar, madje edhe Mesut Ozil”, u shpreh Mustafi. /VipSport/