Vllaznia ka mbyllur dje përgatitjet për ndeshjen e Kupës së Shqipërisë me Partizanin dhe pasdite skuadra ka udhëtuar drejt Elbasanit, për t’u grumbulluar një ditë para ndeshjes.

Në këtë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, Vllaznia pritet të ketë edhe mbështetjen e tifozëve shkodranë, të cilët sot janë organizuar për të qenë prezent në “Elbasan Arena” për të përkrahur të besuarit e trajnerit Elvis Plori.

Megjithatë, për të kaluar te formacioni, shkodranët nuk do të jenë të plotë në takimin e sotëm ndaj “të kuqve”. Kapiteni Gurishta dhe mbrojtësi Bulatoviç janë të konfirmuar si mungesa në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë.

Mbrojtësi i krahut të djathtë mungon që nga sfida me Partizanin në kampionat, ndërsa Bulatoviç po vuan një gjendje gripale. Megjithatë, rikuperimi i Latifit, Jonuzit dhe Da Silvës bëjnë që trajneri Plori të jetë më i qetë.

Në përgatitjet për anti-Partizanin, Plori ka provuar formacionin që do të hedhë në fushë ditën e sotme . Nga ajo që është vënë re në seancat e zhvilluara në fushën “Reshit Rusi”, janë disa lëvizje që Plori ka projektuar. Nga mbrojtja në sulm, Vllaznia pritet të jetë ndryshe në Elbasan, gjithnjë duke e krahasuar me skuadrën që luajti kundër Egnatias, ndeshjen e fundit.

Me Zogoviç të paprekshëm, mbrojtja do të pësojë vetëm një ndryshim. Në vend të Bulatoviç të dëmtuar, do të luajë Adili në qendër, në krah të senegalezit Diagne.

Ndërkohë, pjesa tjetër rikonfirmohet me Krujën në të djathtë dhe Hakajn në të majtë. Për të vijuar në mesfushë, ndaj Partizanit, Plori pritet të luajë me dy mesfushorë tipikë përpara mbrojtjes, pikërisht Jonuzin dhe Krymin.

Mirëpo, në Elbasan skema pritet të ndryshojë, duke u bërë 4-2-3-1. Sulmi ndryshon, pasi në majë të ofensivës do të vendoset Aralica. Kroati do të mbështetet nga Hoxhaj, Da Silva dhe Latifi. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që Plori të bëjë edhe ndonjë tjetër lëvizje për këtë takim deri në minutat e fundit të fillimit të ndeshjes.

Kështu, me përjashtim të kapitenit Erdenis Gurishta dhe mbrojtësit Darko Bulatoviç, që janë të dëmtuar, e gjithë pjesa tjetër e skuadrës ka qenë e plotë në seancën e fundit stërvitore. Tashmë, trajneri shkodran Plori është i qetë, teksa nga sa është parë të gjithë lojtarët janë shfaqur në formë të mirë. /Maringlen ZHIVANI/

Zogoviç

Kruja Adili Diagne Hakaj

Jonuzi Krymi

Hoxhaj Da Silva Latifi

Aralica Tr: Elvis Plori