Skuadra shkodrane nuk ka mundur dot të marrë pikë në ndeshjen e luajtur pasditen e sotme në Kuçovë ndaj Tomorit. Ndonëse ajo ka goditur dy shtylla në pjesën e parë dhe ka shënuar dy gola (të anulluar të dy në pjesën e dytë), sërish nuk ka mundur të marrë qoftë edhe një pikë pasi ka humbur 0-1 ndaj beratasve. Këta të fundit ndoshta nuk e kanë merituar fitoren. Kanë luajtur jo më mirë se shkodranët, kanë goditur një herë traversën e portës së tyre, kanë shënuar vetëm një gol dhe kaq u ka mjaftuar atyre të sigurojnë fitoren e dytë në këtë kampionat. Në pjesën e parë, Gjini në minutën e 38-të dhe Muça në të 39-tën, kanë patur dy herë mundësi të kalojnë skuadrën e tyre në avantazh por janë penguar nga shtyllat e portës kundërshtare. Formacioni që ka hedhur trajneri Vata në këtë ndeshje ka qenë ky: Vujadinoviç, Gocaj, Muça, Sykaj, Hajdari, Nimani, Belisha, Karakaçi, Shaba, Vajushi dhe Gjini. Në të dytën janë aktivizuar edhe Markolaj në vend të Shabës, Erkoçeviç në vend të Nimanit dhe Dema në vend të Muçës. Goli i Bakiut është shënuar në minutën e 56-të të ndeshjes pas një gabimi edhe të portierit Vujadinoviç por edhe të mbrojtjes kuqeblu. Pas këtij goli, Vllaznia ka reaguar duke përfituar edhe nga dalja me karton të kuq e mbrojtësit Çela të Tomorit në minutën e 72-të. Në minutat e fundit të ndeshjes, Vllaznia ka shënuar dy gola, fillimisht me anë të Gjinit dhe pastaj të Erkoçeviç në minutat 81 dhe 83 por të dy ata janë anulluar nga gjyqtari anësor Ergi Doda për pozicione jashtë loje ndonëse pamjet filmike tregojnë se janë vërtetë të dyshimta këto vende. Edhe nga drejtuesit e Vllaznia ka patur reagime në lidhje me anullimin e këtyre dy golave por rezultati ka mbetur i pandryshuar deri në fund të ndeshjes. Vllaznia është mundur edhe në këtë sfidë dhe vazhdon të mbetet në kuotën e 14 pikëve, duke qenë shumë larg pretendimeve të saj në kampionat.