Vllaznia humbi pasditën e djeshme ndaj Laçit, në ndeshjen e luajtur në Kurbin. Megjithatë, nga ana tjetër, ajo që ka rënë në sy tek loja e djeshme e kuqebluve, ka qenë paraqitja e mirë e mbrojtësit malazez Darko Bulatoviç, për të dytën ndeshje rradhazi pas asaj ndeshjeje pozitive ndaj Kastriotit javën e kaluar.
Të dyja këto ndeshje, ai luajti në qendër të këtij reparti, njëherë me Adilin dhe njëherë me Diagne, teksa i zëvëndësoi që të dy më së miri, në ndeshjet që ata munguan.
Ndonëse, deri tani jemi mësuar ta shohim duke luajtur në krahun e majtë të mbrojtjes, përpos ndeshjeve të fundit, malazezi në këto dy ndeshje tregoi se mund ta bëjë shumë mirë edhe rolin e qendërmbrojtësit.
32-vjeçari malazez është rikthyer nga një dëmtim i gjatë dhe kështu po bind trajnerin Brdariç jo vetëm në fashën e majtë të mbrojtjes, por edhe në qendër.
Në këtë mënyrë, Darko Bulatoviç do ta ndihmojë teknikun Brdariç që të mos ketë “dhimbje koke” për ndërtimin e formacionit për sfidat e ardhshme dhe kjo padyshim që është diçka shumë pozitive.
Maringlen ZHIVANI