“Kam ardhur për të punuar” është refreni i Mladen Krstajic, trajnerit të Bullgarisë, skuadër që u mposht 2-0 nga Shqipëria në “Air Albania”.

Sfida miqësore mes dy kombëtareve ballkanike, u vendos nga golat e Qazim Laçit dhe Ernest Muçit (eurogol).Kuqezinjtë e Sylvinhos ndodhen në formë të shkëlqyer, ndërkohë që plotësisht ndryshe është gjendje në kampin kundërshtar.

Bullgaria ndodhet në krizë dhe trajneri i ka orët e numëruara. Pavarësisht se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen. Shtypi sportive bullgar shkruan se tekniku serb e mbylli aventurën në pankinë në Tiranë.

Ndërkohë, zv presidenti i Federatës Bullgare të Futbollit (BFU), Emil Kostadinov thekson se vendimi final për fatin e Krstajic do të merret 2-3 ditët e ardhshme.

“Trajneri nuk është i vetmi fajtor, situata është komplekse. Në 4-5 ndeshjet e fundit është bërë rotacion i madh mes lojtarëve, gjë që ka ndikuar në rezultatet negative.

Objektivi i Krstajic ishte rinovimi i Kombëtares, ai e pati guximin ta bënte, por në fund të fundit nuk funksionojnë gjërat vetëm me lojtarë të rinj.

Trajneri i ardhshëm, nëse do të ketë një trajner të ri, duhet ta vazhdojë procesin e rinovimit të Bullgarisë. Sepse kemi shumë të rinj cilësorë.

Nëse duam e ndërpresim menjëherë kontratën me Krstajic. Nuk kemi probleme me penalitetet, por vendimi final do të merret pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv”, theksoi Kostandinov.