Nuk qëndron asnjë pandehmë e ngritur këto ditë lidhur me sulmuesin e Çelsit dhe kombëtares shqiptare. Nuk ka asnjë krisje, e jo më thyerje mes Brojës dhe trainerit Silvinjo. Asnjë.

Prandaj hamendësimet, ligësitë, dhe keqdashjet në nxjerrjet e përfundimeve pa asnjë fakt, duhet të marrin fund. Gjithçka lidhet me shëndetin e futbollistit, ashtu si e tha me pak fjalë edhe Silvinjo në konferencën e fundit para ndeshjes me Bullgarinë.

I ardhur nga një lëndim i gjatë, ende në rikuperim për të marrë minuta të plota në ndeshje, Broja ka pësuar një lëndim të lehtë në këmbën e majtë teksa bënte stërvitje me kombëtaren, përpara ndeshjes me Çekinë. Kujtoj që dëmtimi i rëndë ka qenë në këmbën e djathtë dhe për të mos rrezikuar, ai është këshilluar që peshën e trupit, edhe për një farë kohe ta kalojë në këmbën e majtë.

Pas diskutimeve mes mjekëve, ku vendimi i mjekëve të Çelësit prevalon ende mbi këdo tjetër sipas rregullave të klubit, Brojës i është kërkuar të kthehet në Londër me urgjencë. Ka pasur një takim mes tij Silvinjos dhe Zabaletës ku është sqaruar situata dhe patjetër me dashamirësinë dhe keqardhjen e trainerit që e dëshironte në fushë, Broja është nisur në Londër ditën e ndeshjes në drekë, pavarësisht dëshirës për të qëndruar pranë shokëve të skuadrës qoftë edhe në tribunë.

Gjithsesi janë ca rregulla që nuk mund të bësh dot sipas qejfit, sidomos kur mjekët thonë “do bëhet kështu”. Nëse ndeshja do të ishte tre ditë më pas, mjekët e Çelsit, kishin dhënë siguri se Broja për një minutazh të caktuar mund të luante. Kjo është e vërteta me detaje se çfarë ndodhi ato dy ditë. Marrëdhënia mes Brojës-Silvinjos-Dukës është e shkëlqyer.
Personalisht m’u bë qejfi që i dëgjova këto sqarime nga njerëz shumë pranë lojtarit.

Mbetet që edhe shumë të tjerë, përpara se të ngrenë hipoteza me qejmbetje, me rregulla për dhoma pranë prindërve, me inate të vogla, a ku di unë ç’është shkruar këto ditë, më mirë të heshtin kur s’kanë informacion. Sepse nuk kanë pse armiqësojnë tifozët me lojtarët. Mezi pres ta shoh Brojën të shtunën kundër Arsenalit.