Atleti shkodran Izmir Smajlaj nuk ka arritur rezultatin e duhur në Mitingun Ndërkombëtar të Austrisë. Ai ka arritur të kërcejë 7.83 metra dhe është renditur i katërti, duke mos u futur dot në zonën e medaljeve. Kampioni i Europës në fuqi i sallave të mbyllura nuk ka bërë garën e tij më të mirë edhe për shkak të një dëmtimi që ka patur në këmbë, duke u ruajtur për Kampionatin Kombëtar, që zhvillohet këtë javë në Elbasan.

Në Mitingun e Austrisë, të emërtuar “Kërcimet e Arta”, Smajlaj ka bërë dy faulla, ndërsa në katër kërcimet e tjera ka arritur distancat 7.74, 7.68, 7.78 dhe 7.83 metra që ka qenë edhe kërcimi më i mirë i tij duke u renditur në vendin e katërt.24 vjeçari shkodran ka qenë shumë pranë vendit të tretë dhe medaljes së bronztë të këtij mitingu, por në kërcimin e fundit ka qenë një sportist grek që ka kërcyer 7.89 metra dhe ia ka rrëmbyer atë. Natyrisht që kjo garë tregoi edhe njëherë se rivalët e Smajlajt kanë avancuar jo pak dhe atij i duhet shumë punë për të mbajtur ritmin e tyre dhe për të mbrojtur titullin kampion të Europës. Ndërkohë, shkodrani ka anulluar praninë e tij në një miting tjetër që do të zhvillohej në Bosnjë këtë javë, për shkak të Kampionatit Kombëtar, ku do të tentojë edhe thyerjen e rekordit kombëtar.