Dita e parë stërvitjes me ekipin kombëtar ka qenë një makth për pasuesen e ekipit kombëtar të femrave në volejboll Cindy Marina, një lojtare me origjine shkodrane por që jeton në Amerikë, e cila që në seancën e parë pësoi një dëmtim. Por tashmë ai shqetësim i përket së shkuarës, thuajse është harruar dhe pasuesja e kombëtares kuqezi i është rikthyer punës më ritëm të plotë, duke u bashkuar me pjesën tjetër të ekipit.

Puna e Cindy Marina është mjaft e vështirë, pasi ajo do të jetë dirigjentja e skuadrës në fushë, pasi nga duart e saj do të kalojë cdo top. Ajo shprehet se ka rikuperuar dëmtimin dhe se është gati të japë sërish kontributin e saj për ekipin kombëtar. “Tashmë kam rikuperuar dëmtimin dhe besoj se deri në ndeshjen e parë me ekipin kombëtar do të jem në 100% të formës time, për të dhënë maksimumin në ndeshje”, tha Cindy Marina.
Ajo shprehet se kombëtarja i ka të gjithë mundësitë për të bërë një paraqitje të mirë në këtë edicion, pasi pasioni e dëshira, por edhe puna e bërë në parket, ka qenë mjaft e mirë. Kjo edhe falë kushteve më të mira stërvitore të krijuara nga Federata, por edhe stërvitjes e zhvillimit të ndeshjeve në një sallë moderne. “Vjet kemi bërë paraqitje shumë të mira edhe pse askush nuk besonte se do të arrinim 2 fitore dhe rivalizonim pothuajse në cdo takim. Kjo na ka motivuar dhe na ka karikuar edhe më shumë, duke na dhënë më shumë besim për këtë edicion të Ligës së Europës. Unë dhe e gjithë skuadra, së bashku me stafin, besojmë se do të arrijmë një rezultat edhe më të mirë këtë vit, duke nisur nga ndeshjet e para që i luajmë në fushën tonë. Grupi i vajzave është mjaft i mirë, puna e bërë po ashtu, ndaj besoj se i gjithë ky mund do të shpërblehet në fund me fitore”, tha Cindy Marina.Këtë javë ajo i është bashkuar sërish skuadrës dhe puna në parket, dy herë në ditë, do të ndihmojë stafin kuqezi të rikuperojë edhe ato boshllëqe që ishin vërejtur ditët e fundit. “Skuadra ka kohë që stërvitet dhe përgatitet për këtë turne e tashmë edhe unë jam bashkuar me vajzat e tjera dhe të gjitha së bashku jemi duke punuar fort për të arritur objektivat e vëna. Mendoj se skuadra është e kompletuar dhe shpresojmë që parketi të japë rezultatet e pritura. Unë premtoj dhe besoj se të gjitha së bashku do të japim më të mirën në fushë dhe shpresoj që të fitojmë e të kënaqim sportdashësit shqiptarë”, u shpreh pasuesja e ekipit kombëtar, një nga titullaret e ekipit kuqezi, në përfaqësimin e saj të dytë me kombëtaren kuqezi, pas debutimit një vit më parë, po në Ligën e Europës.

© shkodrasport.com