Vllaznia në volejboll për femra ka bërë detyrën duke fituar ndeshjen e rradhës për kampionat teksa ka mundur Skënderbeun e Korçës me rezultatin 3-1. Ka ndodhur kështu, në takimin e luajtur paraditen e së shtunës në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës.

Vajzat kuqeblu në fakt nuk e kanë nisur mirë këtë përballje sepse e kanë humbur setin e parë me shifrat 25-23. Një set që ka shkundur stafin teknik duke parë që ekipi i tyre e kishte marrë ndoshta të lehtë këtë përballje dhe reagimi ka ardhur menjëherë. Në setin e dytë është Vllaznia që luan më mirë dhe e fiton atë 25 me 21 duke barazuar numrin e tyre dhe kaq ka mjaftuar që në fushë të dominojë ekipi kuqeblu.

Seti i tretë fitohet lehtësisht në shifrat 25 me 15 dhe po ashtu edhe i katërti 25 me 17 dhe krej takimi me rezultatin 3-1. Kjo ka qenë në fakt një fitore e pritshme madje trajnerët Lisha e Kalaja janë të pakënaqur pse Skënderbeu mori një set. Themi kështu sepse Vllaznia tashmë është ndërtuar për të qenë një ekip pretendent dhe kurrsesi detyra e saj nuk është të matet me korçaret që ndodhen në vendin e parafundit të renditjes.

Marrja e brazilianes Karioka, e kolumbianes Perez dhe e serbes Joçiç, e ka forcuar së tepërmi ekipin shkodran megjithatë ai ende nuk ka arritur asgjë në pretendimet e tij. Për të siguruar fillimisht katërshen e më të mirave, përcaktuese do të jetë ndeshja që do të zhvillohet javën e ardhshme në Tiranë me Barleti Volej dhe padyshim që Vllaznisë i duhet fitorja me të cilën ndoshta edhe matematikisht sigurohet katërshja e plej-ofit. Në rast të kundërt, do të çohet dëm puna e bërë gjatë gjithë sezonit e po ashtu edhe investimi i fundit me blerjen e tre lojtareve të huaja.
www.shkodrasport.com