Tetë prej dhjetë klubeve pjesmarrëse në Superligën shqiptare të këtij sezoni, janë shprehur sot dakord për krijimin e Ligës Profesioniste. Në mes tyre padyshim që është edhe Vllaznia e cila ka dhënë OK-in e saj për këtë çështje. Takimi i iniciuar nga FSHF është drejtuar nga vetë presidenti Armando Duka.

Kanë qenë të ftuar pjestarët e të gjithë klubeve por kanë munguar ato të Kukësit dhe Flamurtarit. Vllaznia është përfaqësuar me administratorin Astrit Gjyrezi që për mediat pas përfundimit të këtij takimi, është shprehur: “Ka disa muaj që kemi marrë materialin. Kemi shprehur dakordësinë tonë për krijimin e Ligës. Mendojmë që është një hap pozitiv, por jemi ende në hapat e para. Kjo pavarësi ka për të ndikuar më mirë në aspektin financiar, por edhe për një bashkëpunim më të frytshëm me federatën”. Kjo iniciativë, në fakt duhej të vinte me kërkesën e vetë klubeve, të cilat supozohet të jenë strukturat direkte të interesuara dhe përfituese, edhe një herë tjetër, është menaxhuar dhe administruar si një nismë e Federatës Shqiptare të Futbollit. Si një institucion dhe strukturë e re, në futbollin shqiptar, Liga Profesioniste, shfaq shumë të panjohura në mënyrën e funksionimit, përgjegjësive, detyrimeve dhe rregullave, ndonëse synimi kryesor për krijimin e saj është rritja e nivelit të menaxhimit të garës sportive, çka do të sillte një produkt më cilësor për sportdashësit i cili rrjedhimisht do të prodhonte më shumë të ardhura edhe për klubet.Sikurse bëhet me dije nga drejtuesit e FSHF-së, Liga Profesioniste do të jetë zyrtarisht aktive për funksionim duke nisur nga data 1 tetor 2017, kur do të bëhet edhe regjistrimi i saj në Gjykatë, ndërkohë që më datë 30 do të zhvillohet Asambleja e Ligës Profesionistë, e cila do të miratojë strukturën dhe organet e saj drejtuese. Pas kërkesës për anëtarësim, në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së në mars të 2018-ës, Liga do të jetë zyrtarisht anëtare e Federatës Shqiptare të Futbollit.

© shkodrasport.com