Vllaznia ka nisur prej 10 ditësh stërvitjen në Shkodër, stërvitje që janë duke u zhvilluar aktualisht në fushën sportive “Reshit Rusi”. Natyrisht që temperaturat e larta nuk favorizojnë një stërvitje ashtu si duhet megjithatë kjo gjë do të vazhdojë edhe për rreth dy javë. Themi kështu pasi stafi teknik është duke menduar për zhvillimin e një faze përgatitore intensive në Mal të Zi. Kjo gjë pritet të ndodhë në javën e parë të gushtit.

Plani mesa duket është për shkuarjen sërish në kampingun e Beranes ku ka qenë edhe vitin e kaluar dhe ku kushtet për stërvitje dhe akomodim janë të mira. Megjithatë duhet pritur edhe aprovimi i drejtuesve të klubit për zhvillimin e kësaj faze përgatitore sepse natyrisht që ajo ka kosto financiare. Me siguri që edhe kjo gjë do të zgjidhet dhe padyshim që kjo do të ndikojë për mirë tek skuadra në përgatitjet e saj. Ideja është që Vllaznia të qëndrojë në Mal të Zi për një periudhë trejavore ku do të zhvillojë edhe 3-4 ndeshje miqësore. Ajo që duhet thënë është se stafi teknik është duke planifikuar çdo gjë sa i takon përgatitjeve për nisjen e sezonit të ri por problemi është se kontigjenti i futbollistëve që kanë në dispozicion nuk është ai i duhuri. Deri më sot nuk ka asnjë kontratë të firmosur me ndonjë nga futbollistët e kërkuar nga trajneri Cungu dhe kjo padyshim që ka krijuar probleme sepse ai nuk ka organikën e duhur për nisjen e sezonit të ri.

© shkodrasport.com