Lojtari që dërgon topin në rrjetë patjetër që është i rëndësishëm për çdo skuadër futbolli dhe zakonisht kjo detyrë shkon për sulmuesit. Janë ata që duhet të marrin përsipër fatet e ekipeve ku luajnë për ti udhëhequr me golat e tyre dhe për ti dërguar drejt suksesve. Jo më kot në historinë e futbollit ata që përmenden më shpesh si më të mirët e të gjitha kohërave janë ata futbollistë që janë aktivizuar në repartin sulmues.

Në vitet e fundit thuajse e gjithë Europa ka pasur një krizë për gjetjen e sulmuesve cilësorë. Këtë e ka vuajtur edhe kampionati ynë e sidomos Vllaznia, që në vite është shquar për nxerrjen e sulmuesve të klasit.

Edhe këtë edicion, shkodranët po vuajnë që të gjejnë njeriun gol në fazën sulmuese, ku për momentin me 4 gola është Herald Marku ai që është shënuesi më i mirë në skuadrën e drejtuar nga Mirel Josa.

Sulmues si Aralica dhe Kaina kanë shënuar vetëm nga një gol, në një moment që detyra e tyre është të jenë shënuesit e ekipit. Në ndryshim nga Vllaznia, dy ekipet e tjera pretendente si Partizani dhe Tirana kanë nga shënuesit më të mirë të kampionatit. Bardheblutë krenohen me shënuesin më të mirë të Superiore, Redon Xhixha me 10 gola e ndërsa të kuqtë me Skuken i cili ka shënuar 7 gola deri më tani në kampionat.

Edhe ekipe modeste si Bylis apo Erzeni personifikohen me sulmuesit, ku tek ballshiotët kanë shënuar nga 3 gola Beji dhe Kacorri ndërsa tek shijakasit spikat sulmuesi kryesor Nonato me 4 gola në Superiore.

Madje edhe tek Egnatia është sulmuesi kryesor Delarge që ka dërguar topin 3 herë në rrjetë e ndërsa tek Kastrioti është Morbeck që ka shënuar 3 herë. Pra vetëm Vllaznia duket se ende nuk e ka ‘bomberin’ e duhur në kampionat, të cilin shpresojnë ta gjejnë pas kthimit nga pushimet ose edhe në merkaton e janarit.
Endri ÇINARI