Gardiani i portës shkodrane, Alen Sherri vijon që të jetë i mendimit se Vllaznia në fund të këtij sezoni do të sigurojë ngjitjen në Superiore.
Vllaznia pavarësisht se ka bërë vetëm një lëvizje në merkato, sërish nuk duket se ndihet e rrezikuar për sa i përket vazhdimësisë në këtë sezon. Ajo që duket se shqetëson është vetëm fakti se kuqeblutë nuk po mendojnë akoma për sezonin e ri.
Në një intervistë të tij për gazetën “Panorama Sport”, gardiani i portës shkodrane flet për pjesën e dytë të garës dhe kundërshtarët që do të kenë përballë. Deri tani në ekip është afruar vetëm Kruja, ndërsa duket se do të largohet mbrojtësi Dan Ignat.
Sa probleme po ju krijon stërvitja në një ambient të mbyllur siç është fusha e kalçetos?
Natyrisht që nuk po marrim ngarkesën e plotë, pasi është krejt ndryshe që të stërvitesh në një ambient të hapur në krahasim me një fushë kalçetoje. Megjithatë, me këto kushte po mundohemi që të bëjmë më të mirën e mundshme.
Po mungojnë afrimet ndërsa ka ardhur vetëm Kruja, mund të ketë ndikim në vazhdimin e kampionatit?
Nuk mendoj se mund të ketë ndonjë ndikim për sa i përket arritjes së atij objektivi që ne kemi për këtë sezon. Mund të them se grupi ndihet i plotë dhe nuk ka asnjë problem. Afrimet do të ishin plus edhe për këtë fazë dhe për të ardhmen.
Pas 14 javëve të para, mund të themi se do të nisin vështirësitë për këtë skuadër?
Fundi sa vjen dhe do të vështirësohet dhe këtë e dimë mirë, por nuk mendoj se do të ndryshojë gjë, që ne të arrijmë në objektivat që kemi.
Do të vijoni sërish që të ruani rezultatet pozitive për sa i përket golave të shënuar?
Besoj se po. Por, kjo nuk më takon vetëm mua, por lojës që do të bëjë skuadra në mbrojtje. Shpresoj që të bëjmë sërish më të mirën.
E startoni vitin me një ndeshje në Kupën e Shqipërisë, mund ta pretendoni këtë trofe?
Kjo është me të parë dhe me të bërë. Shpresoj që të bëjmë më të mirën që në takimin e parë që kemi me Kamzën në Shkodër dhe më pas të shikojmë për më tej. Por, si objektiv primar tonin kemi rikthimin në Superiore. Këtë mendoj se do t’ia arrijmë. Te Kupa duhet të bëjmë më të mirën.