Kuqeblutë 19 vjeçarë e kanë nisur me fitore dhe kualifikim rrugëtimin e tyre në Kupën e Shqipërisë. Vllaznia ka fituar me rezultatin 2-0 ndaj Partizanit dhe ka kaluar kësisoj në çerekfinale të këtij kompeticioni. Ndeshja është luajtur pasditen e sotme në Kamëz.

Në fillim ka qenë kapiteni Elmir Lekaj që ka shënuar golin e parë në minutën e 20-të duke kaluar në avantazh ekipin e tij. Një gol që vjen pikërisht për 19 vjetorin e lindjes duke e festuar në mënyrën e duhur këtë moment të veçantë të tij.

Ndërkohë, pavarësisht përpjekjve të të kuqve, shkodranët kanë shënuar edhe një gol të dytë në minutën e 78-të me anë të mesfushorit Samuel Asllani duke kompletuar kësisoj fitoren dhe kualifikimin e Vllaznisë.

Javën e ardhshme do të luhet ndeshja çrekfinale në mes saj dhe Akademisë së Futbollit. Kuqeblutë janë fituesit në fuqi të këtij kompeticionit dhe kanë si objektiv fitimin sërish të këtij trofeu. Nisja është e mbarë por duhet të vazhdojë në këtë mënyrë rrugëtimi i tyre.
© shkodrasport.com