Basketbollistët e Vllaznisë kanë arritur të fitojnë edhe një tjetër ndeshje miqësore. Këtë herë ndaj “Invaders”, ekipit kryeqytetas që merr pjesë në kategorinë e parë. Takimi nuk ka patur shumë rivalitet. Shkodranët e kanë udhëhequr atë nga fillimi e deri në fund.

Pjesa e parë është mbyllur me shifrat 45-29 në favorin e tyre ndërkohë që i gjithë takimi është mbyllur me rezultatin 84-52. Duhet thënë se edhe në këtë ndeshje, pavarësisht diferencës në mes dy ekipeve, trajneri Plantak është parë sërish i nervozuar me arbitrat.

Duket se e ka në karakterin e tij të mos qëndrojë i qetë edhe në takime të tilla miqësore. Edhe në këtë takim, Vllaznia më shumë minuta u ka dhënë atyre basketbollistëve tek të cilët pritet të mbështetet në gjysmën e dytë të kampionatit, përfshi këtu katër amerikanët, kapitenin Llazani, por edhe Bekteshin, Lekndreajn, Rakajn, Shabanin, Bitrin, Kuçin e ndonjë tjetër.

Nderkohe ne rradhet e Invaders eshte aktivizuar ish- kapiteni i Vllaznise Ervin Berdica i cili eshte munduar te jape me te miren e tij por e ka patur te veshtire ta ndihmoje ate, te pakten per te ngushtuar rezultatin.

Në këtë mënyrë Vllaznia mori fitoren e tretë pas atyre me kosovarët e Pontes dhe malazezëve të Zetës. Ndërkohë që kanë pësuar një miqësore tjetër, atë me Ulqinin. Të enjten ndërkohë ekipi shkodran do të luajë për kupë në Durrës ndaj Teutës.
© shkodrasport.com