Vllaznia do të presë në “Loro Boriçi” Tiranën për të zhvilluar mes tyre edhe sfidën e javës së 30-të të Abissnet Superiore. Ditën e shtunë duke nisur që nga ora 18:00 shkodranët do të kërkojnë edhe fitoren e 3-të këtë sezon ndaj bardhebluve.

Në të tilla përballje spektakli nuk ka munguar as në tribuna, ku tifozët me koreografitë e tyre i kanë dhënë tjetër “sharm” Klasikeve të Shqipërisë.

Pikërisht për tifozët, Vllaznia ka bërë një postim në rrjetet sociale, teksa është e bindur se mbështetja e tyre nuk do të mungojë as në këtë sfidë.

“Ata kanë qenë gjithmonë mbështetja jonë e madhe. Veçanërisht në “klasiket” e shumëpritura ndaj Tiranës. Prandaj dhe nuk kemi as më të voglin dyshim që tifozët do jenë edhe të shtunën në “Loro Boriçi” për të përkrahur skuadrën tonë drejt fitores”, thuhet në postimin e kuqebluve./newsport/