Pavarësisht blerjeve të brëra, situata tek ekipi i basketbollit të meshkujve të Vllaznisë vazhdon të jetë shumë e rënduar. Kur kanë mbetur edhe tetë javë deri në fund të kampionatit, kuqeblutë janë sërish në vendin e fundit të renditjes dhe për këtë arsye, sfida e kësaj jave me Kamzën, rivalen direkte të saj, pritet me shumë interes.

Vllaznisë i duhet padiskutim fitorja me çdo kusht e këtij takimi sepse vetëm kështu mund të vazhdojë të shpresojë për mbijetesë. Nëse ndodh e kundërta, pra që të fitojë Kamza, ekipi shkodran do të jetë i detyruar t’i thotë lamtumirën që tani Superligës shqiptare.

Megjithatë presidenti Xhaferi, drejtori teknik Halili dhe trajneri Plantak as nuk e çojnë ndër mend humbjen. Vërtetë ekipi ka humbur dy ndeshjet e para të kësaj faze, ato ndaj Goga Basket dhe Teutës, por të mos harrojmë se këto dy ekipe janë aktualisht më të mirat e kampionatit.

Për këtë arsye, drejtuesit kuqeblu besojnë se skuadra do të shprehet ashtu si duhet në sfidën ndaj Kamzës, për të marrë fitoren dhe për të rihapur garën. Nga sa mësohet, ndeshja Vllaznia- Kamza Basket do të luhet të premten në orën 18.00 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” dhe kuqeblutë padyshim që kanë nevojë edhe për mbështetjen e tifozëve shkodranë.

Ata u kanë bërë thirrje për të mbushur pallatin e sportit dhe për t’i mbështetur basketbollistët e Vllaznisë në këtë sfidë shumë të rëndësishme sepse ata kanë nevojë për to. Gara sa vjen e bëhet edhe më e vështirë dhe për këtë arsye, të premten nuk duhet llogaritur fitorja.