Opinion nga Senad NIKSHIQI

Vllaznia me fitoren e arritur ndaj Teutës, tregoi se është një nga ekipet më serioze që ka Shqipëria. Shkodranët vërtetuan se asnjëherë nuk do të bëhen pjesë e klaneve apo aleancave siç zakonisht ndodh në çdo fund kampionati. Kuqeblutë patën mundësi ta bënin një gjë të tillë por nuk preferuan të jenë pjesë e një lojë të pistë. Në fakt është kjo skuadër ajo e cila çdo sezon ka kundështuar ashpër këtë fakt e madje shpesh herë ka rënë pre e aleancave që ekipe të ndryshme kanë bërë. Duke e vuajtur mbi kurriz e duke qenë pre e këtyre klaneve sezone më parë, shkodranët kanë menduar që të mos jenë në grupimin e ekipeve që luajnë për njëri-tjetrin. Në fakt Vllaznia ka të gjitha mundësitë për ta bërë një gjë të tillë sepse tashmë siç kanë deklaruar drejtuesit e ekipit, janë jashtë objektivave për të kapur një vend që do t’i çonte në Kupat e Europës. Po ashtu Vllaznia nuk rrezikon as rënien një kategori më poshtë dhe duke qënë në këtë situatë kishte mundësi që të ishte pjesë e ndonjë grupimi. Në këtë mënyrë, Vllaznia respektoi Kampionatin, respektoi qytetin që përfaqëson, respektoi tifozët e saj të shumtë e po ashtu edhe atë fanelë aq të rëndë që lojtarët e mbajnë të veshur në fushën e lojës. Kuqeblutë edhe pse nuk ishin në ditën më të mirë të tyre e po ashtu me disa mungesa në formacionin e parë, arritën që ta mposhtin Teutën më një dygolësh të mbrojtësit Dritan Smajli. Ky është një shembull mjaft i mirë që jep Vllaznia dhe një mesazh i qartë që duhet të merret nga të gjitha skuadrat. Skuadra që drejtohet nga Artan Bushati tregoi qartë se nuk mund të diskutohet për të tilla gjëra që asgjë më shumë veçse e dëmtojnë futbollin në tërësi e bëjnë që njerëzit të abandonojnë edhe më shumë shkallët e stadiumit. Ka ardhur koha për një futboll të pastër dhe secili të marrë atë që meriton pavarësisht interesave. Më mirë se askush, këtë e bëri Vllaznia, e cila edhe pse e dëmtuar nga klanet e kundështarëve sezone më parë, tregoi se nuk di të hakmerret sepse më shumë se gjithçka, për Vllazninë, për Shkodrën, vlen futbolli!