Vllaznia ka nisur përgatitjet për ndeshjen e rradhës kundër Partizanit. Takim që do luhet ditën e enjte në orën 18:00, në stadiumin “Loro Boriçi”. Ajo që gëzon stafin dhe trajnerin Memelli para kësaj sfide është se grupi i futbollistëve do jetë i plotë. Si Krymi dhe Juric janë kthyer plotësisht me grupin.
Si mesfushori energjik ashtu edhe mbrojtësi kroat duket se i kanë lënë pas shqetësimet e javëve të shkuara. Megjithatë duket se Memelli nuk do i rrezikojë nga minuta e parë dy futbollistët. Nga ajo çfarë u pa në ndarjen e futbollistëve në seancën e djeshme stërvitore, si Krymi dhe Juric nuk ishin në grupin e titullarëve.
Për Juric duket se zëvendësues i tij do jetë Pusi në ndeshjen e rradhës. Shtatlarti që zhvilloi ndeshje shumë pozitive në minutat ku u aktivizua kundër Erzenit.
Duke lënë me shumë mundësi në stol edhe Cheshmijedev. Ndërsa për Krymin, i cili konsiderohet si titullar i padiskutueshëm, mund ta nisë nga stoli vetëm për shkak të dëmtimit të pësuar.
Megjithatë i rëndësishëm është fakti se Vllaznia do ketë grupin e plotë në duelin ndaj të kuqve. Një ndeshje që pritet të sjellë interesim të madh të tifozëve shkodranë edhe nëpër tribuna. Duke qenë se edhe orari do jetë i përshtatshëm për të gjithë ata që duan ta shohin nga shkallët e “Loro Boriçit”.
Endri ÇINARI