Java e dytë e kampionatit ka nisur sot në darkë me sfidën Tirana- Teuta që u mbyll në barazim 0-0 dhe do të vazhdojë me katër takimet e ditës së nesërme, ndër të cilët edhe ai Bylis- Vllaznia.

Java e tretë ndërkohë do të nisë me sfidën në mes Vllaznisë dhe Tiranës që do të luhet të shtunën në orën 19.00 në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës.

Por në fakt, në kampin shkodran nuk janë të kënaqur me këtë vendim që ka marrë FSHF. Për ta nuk është e kuptimtë që një sfidë e tillë të luhet vetëm 3 ditë pas një ndeshje tjetër siç është ajo e Ballshit.

Kapiteni Lika gjatë ditës së sotme e ka shprehur një shqetësim të tillë dhe ka kërkuar nga drejtuesit e klubit që të ndërhyjnë në Federatë për ta spostuar për të dielën përballjen me bardheblutë. Edhe trajneri Jonuz nuk ka qenë dakord për të shtunën.

“Nuk është aspak normale për të luajtur pas tre ditësh një ndeshje kaq të rëndësishme. Për ekipin nuk është aspak normale gjithë ky ritëm në start të punës. Nuk është normale as për ne e as për Tiranën. Të paktën të ndryshojnë kalendarin e të luajmë ditën e dielë”- ka thënë numri 1 i pankinës kuqeblu.

Shkodranët në fakt u ankuan në Federatë edhe për orarin e ndeshjes së parë, asaj ndaj Laçit që u luajt në orën 16.00 në temperatura të larta, por askush nuk e mori përbazë ankesën e tyre dhe me siguri që kështu do të ndodhë edhe këtë herë, nën pretekstin e caktimit të datës dhe orarit të ndeshjes nga kompania që transmeton ndeshjet e kategorisë Superiore.
www.shkodrasport.com