Vllaznia në futboll për femra do të kurëzohet pasditen e së shtunës si kampione e Shqipërisë për të gjashtin vit me rradhë. Ndonëse titullin e sivjetëm e ka siguruar prej dy javësh, festa e tij do të zhvillohet normalisht pas ndeshjes së fundit të kampionatit.
Kjo në fakt duhet të ishte luajtur në kryeqytet pikërisht në fushën e ekipit Tirana AS, por pas kërkesës së Vllaznisë, është arritur akordi që takimi të spostohet në Shkodër, edhe ngaqë është i parëndësishëm sa i takon rezultatit sepse vajzat kuqeblu ndodhen tetë pikë larg vendit të dytë dhe nuk ka asnjë mëdyshje për ekipin kampion.
Një spostim i tillë i ndeshjes është aprovuar edhe nga Sektori i Garave pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ndërkohë që e veçantë tjetër e këtij takimi është se ai nuk do të luhet në fushën “Reshit Rusi” por në stadiumin “Loro Boriçi”.
Takimi Vllaznia – Tirana AS do të startojë në orën 17.00 dhe pritet të ndiqet me interes nga sportdashësit shkodranë. Ecuria e ekipit shkodran edhe këtë sezon ka qenë mëse e shkëlqyer duke i fituar të 21 ndeshjet e luajtura dhe me një golaverazh fantastik prej 146 golash të shënuar dhe vetëm 2 të pësuar.
Ky është titulli i gjashtë dhe këto shifra jo vetëm që nuk po u mërziten drejtuesve të Vllaznisë, por ato duan t’i thellojnë edhe më tej duke premtuar të tjera suksese në të ardhmen. 12 trofe të fituar këto 6 vite, tregojnë më së miri se ekipi i ndërtuar nga presidenti Lazer Matija është i pathyeshëm në futbollin e femrave në Shqipëri.
© shkodrasport.com