Vllaznia ka humbur sërish në transfertë. Këtë herë ndaj Apolonisë në Fier me rezultatin 0-2. Ndeshja e luajtur pasditen e sotme ka qenë shumë e dobët për kuqeblutë. Ato nuk kanë arritur të shprehin asgjë nga vlerat e tyre të vërteta. Trajneri Zmijani e nisi sërish me ndryshime në formacion. Në portë ka qenë Sherri ndërsa në mbrojtje ka patur lëvizje. Gocaj ka luajtur në të djathtë, Beqiri në qendër dhe përkrah tij këtë herë ka qenë Pjeshka. Marku ndërkohë është spostuar në krahun e majtë. Në mesfushë ka luajtur katërshja e përbërë nga Tafili, Krymi, Shtubina e Lika ndërsa në sulm këtë herë përkrah Çinarit ka qenë i riu tjetër Dyca.
Pjesa e parë e lojës është kontrolluar vazhdimisht nga fierakët që kanë parë më shumë drejt portës së Sherrit madje duke krijuar edhe disa raste shënimi. Vllaznia ndërkohë është shumë e zbehtë në manovrën sulmuese dhe në 45 minutat e para ka bërë shumë pak për të kërkuar golin. Me fillimin e pjesës së dytë, do të vinte goli i parë për vendasit. Mbrojtësit e Vllaznisë nuk arrijnë të largojnë siç duhet një top nga zona dhe Dimo në hyrje të saj, gjuan saktë duke e dërguar atë në rrjetë. Reagimi i kuqebluve është i vakët. Vetëm një rast i Tafilit me kokë është shumë pak për të thënë se ata kërkuan barazimin. Dhe kur u duk se ndeshja do mbyllej me këtë rezultat, vendasit fitojnë një 11-metërsh. Portieri Sherri nuk gjen kohën e duhur në dalje dhe ka penguar një futbollist të Apolonisë brenda zonës. Gjyqtari Alla jep 11-metërsh dhe karton të verdhë për të. Nga pika e bardhë, Ribaj është i saktë që shënon dhe e çon rezultatin në 2-0. Kështu do mbyllej ky takim dhe me fitoren e djeshme të Flamurtarit, diferenca me këtë skuadër shkon në 4 pikë, çka do të thotë se shanset për të kapur vendin e gjashtë tashmë janë gjithnjë e më të pakta kur kanë mbetur edhe katër ndeshje deri në fund të kampionatit.
© shkodrasport.com