Vllaznia do luajë pasditen e sotme në orën 19:00 një tjetër takim miqësor në kuadër të para përgatitjeve për Superioren. Shkodranët do presin në “Loro Boriçi” ekipin e Otrant të Ulqinit. Një kundërshtar ndoshta jo i nivelit më të lartë, por që duket se nuk do nënvlerësohet aspak nga Memelli dhe skuadra e tij.

Kjo pasi në proceset stërvitore të këtyre ditëve, trajneri nga Pogradeci duket se e ka vulosur formacionin që do hedhë sot në fushë. Nga ndeshja miqësore me Laçin duket se do ketë vetëm 1 ndryshim dhe pjesa tjetër e 11-tshes pritet e njëjtë. Kështu në portë pritet Kristi Qarri, që duket se do jetë titullari i katërkëndorit këtë sezon.

Në mbrojtje nga e djathta pritet Smajli dhe me Dragoshin e vendosur në të majtë, i cili zëvendëson Hakajn që ende ka probleme fizike. Digën para mbrojtjes pritet ta formojnë dyshja Krymi-Cheshmjedev, me lojtarin nga Maqedonia e Veriut që po bind në atë pozicion. Më i avancuar në repartin e mesfushës pritet të jetë Lorik Boshnjaku.

Nga krahët pritet Mala në të majtë dhe Dodev djathtas, i cili është ndryshimi i vetëm nga ndeshja me Laçin. Kjo pasi vijën e parë sulmuese e kompleton Bekim Balaj. Këto miqësore pritet të krijojnë një ide më të qartë edhe për ekipin, ku tashmë ngelen vetëm 20 ditë nga nisja e kampionatit të Superiores.
Endri ÇINARI