Mbrëmjen e së shtunës në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” u luajt ndeshja e kampionatit kombëtar të basketbollit për meshkuj në mes Vllaznisë dhe Teutës. Një ndeshje që pritej me interes në kampin shkodran për vetë ndryshimet që ka pësuar skuadra teksa ajo ka një president të ri, trajner dhe lojtarë të huaj.

Por në mes 900-1000 tifozëve të pranishëm në pallatin e sportit ka qenë edhe një person i veçantë, ish-presidenti i këtij ekipi Sokol Dibra. Ndonëse tashmë ia ka dorëzuar stafetën presidentit të ri Alban Xhaferi, ai nuk mund të mungonte për të ndjekur skuadrën për të cilën shpenzoi shuma të mëdha dhe po ashtu, mori prej saj kënaqësi të mëdha në momentet e fitimit të trofeve.

Ish-presidenti ka qenë i vendosur në tribunën anësore poshtë tabelës elektronike. Ai ka qenë nën shoqërinë e presidentit të Teutës Arqile Gorea dhe të dy sëbashku kanë ndjekur ndeshjen që u fitua nga durrsakët.

Sokol Dibra me siguri që do të jetë në “Qazim Dervishi” edhe në ndeshjet e tjera sepse këtë ekip e ka shumë për zemër ende. Megjithatë ai kur vendosi që të mos sponsorizonte Vllazninë, u tregua shumë xhentilmen duke ia kaluar dokumentacionin e shoqatës së basketbollit në emër të presidentit të ri Alban Xhaferi.

Shkodra padyshim që i është mirënjohës për atë çfarë ai ka bërë për basketbollin shkodran dhe meriton vlerësim për këtë.
© shkodrasport.com