Elbasani zbret sot në një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit, një takim që mund të shënojë një kthesë të madhe për klubin dhe ambiciet e tij për të rikthyer lavdinë e munguar prej vitesh.
Atmosfera në qytet është ndezur prej ditësh dhe “Elbasan Arena” pritet të shndërrohet në një vullkan emocionesh, ku verdheblutë do të kërkojnë me çdo kusht finalen e Kupës, pas barazimit 1–1 në ndeshjen e parë me Egnatian në Rrogozhinë. Ky është një duel që shkon përtej një gjysmëfinaleje të zakonshme.
Për Elbasanin bëhet fjalë për një provë karakteri, durimi dhe vendosmërie, në një moment ku çdo detaj mund të bëjë diferencën. Ndeshja e parë ka lënë gjithçka të hapur, duke e kthyer sfidën e kthimit në një “finale para finales”, ku çdo gabim mund të jetë vendimtar dhe çdo moment frymëzimi mund të ndryshojë historinë.
GVOZDENOVIÇ – Në daljen e tij para mediave, trajneri Ivan Gvozdenoviç pranoi se skuadra e tij e pret një ndeshje shumë të fortë, duke vlerësuar maksimalisht kundërshtarin. “E kam thënë edhe pas ndeshjes së parë në Rrogozhinë që gjithçka do të vendoset në takimin e kthimit. Erdhi kjo ditë dhe padyshim do të jetë një tjetër ndeshje e hapur. Presim një përballje shumë të fortë dhe të bukur, sepse Egnatia është një skuadër me shumë cilësi. Përballjet tona kanë qenë gjithmonë me gola dhe interesante, dhe edhe këtë herë presim të njëjtën gjë. Në fund, ai që do të paraqitet më mirë do të shkojë në finale”, u shpreh trajneri i Elbasanit.
SKENARËT – Gvozdenoviç theksoi gjithashtu se skuadra është e përgatitur për çdo skenar të mundshëm, përfshirë edhe kohën shtesë apo penalltitë. “Sigurisht, duhet t’i mendosh të gjitha. Mund të shkojmë në shtesa apo edhe në penallti. E rëndësishme është që ne jemi gati, djemtë janë optimistë dhe detajet e fundit do t’i vendosim në stërvitjen përfundimtare”, shtoi ai.
TIFOZËT – Pritet një prani e madhe tifozësh në “Elbasan Arena”, me mbështetjen e tyre që shihet si një faktor i rëndësishëm për skuadrën vendase. Trajneri nuk e fsheh rëndësinë e tyre në këtë moment vendimtar. “Ne do të bëjmë maksimumin. Do të luftojmë për qytetin, për fanellën dhe për Elbasanin. Kjo është detyra jonë, por në fund fusha është ajo që vendos gjithçka. Bashkë me tifozët kemi optimizëm dhe shpresojmë që me ndihmën e Zotit të dalim me rezultat pozitiv”, përfundoi Gvozdenoviç. Në këtë mënyrë, Elbasani hyn në fushë me një objektiv të qartë: të shkruajë një faqe të re në historinë e tij dhe të afrohet sa më shumë me një trofe që i ka munguar prej dekadash.


