Situata ka dalë jashtë kontrollit te Pogradeci. Pas humbjes së shansit për ngjitje direkte në Superiore dhe disfatës ndaj Laçi, kriza ka shpërthyer jo vetëm në fushë, por edhe brenda mureve të klubit.
Një mbledhje analize e zhvilluar sot është kthyer në arenë përplasjesh, ku nuk kanë munguar tonet e larta dhe debatet e ashpra. Në qendër të “stuhisë” ka qenë kapiteni Vangjel Zguro, i cili është përfshirë në një konflikt të drejtpërdrejtë me trajnerin Çela.
Sipas burimeve, situata ka degraduar kur Zguro i është drejtuar trajnerit me fjalët: “Unë të solla këtu”, duke ndezur edhe më shumë gjakrat në një ambient tashmë të tensionuar.
Reagimi i klubit ka qenë i menjëhershëm dhe i prerë: drejtuesit i kanë dalë në krah trajnerit dhe kanë vendosur pezullimin pa afat të kapitenit, duke i dhënë një goditje të fortë hierarkisë së skuadrës.
Zguro kishte qenë tashmë në shënjestër të kritikave pas ndeshjes me Laçin, ku humbi një penallti dhe zhgënjeu me paraqitjen e tij, por askush nuk priste që situata të shpërthente në këtë formë.
Tani te Pogradeci mbizotëron pasiguria totale. Me “play-off”-in përpara, skuadra duket e tronditur dhe e përçarë, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të arrijë të rikthejë ekuilibrat apo kriza do të thellohet edhe më tej.


