Në Shkodër po kthehet ankthi i mbi jetesës. Pas një nisjeje spektakolare të sezonit, u duk se Vllaznia do të ishte më ndryshe nga ajo e viteve të shkuara.
Afrimi i një tekniku shumë profesionist si Mirsad Jonuz dhe besimi tek arritja e rezultateve pozitive, duke bërë të mundur marrjen e maksimumit nga lojtarët, krijoi përshtypjen se edhe vazhdimësia në kampionat do të fliste për një ngjitje të Vllaznisë. Mirëpo, në katër javët e fundit duket se gjërat morën një tjetër drejtim.
Vllaznia, përtej rezultateve që ishin zhgënjyese, ku në katër përballje mori vetëm 2 pikë, zhgënjeu edhe me lojë. Kjo rënie e lirë e Vllaznisë ka bërë që tifozët, specialistët shkodranë të lëkunden për besimin që kanë pasur tek ekipi. Kjo u përforcua më shumë pas barazimit me Teutën, ku skuadra ishte shumë larg pritshmërive. Por, frika e mbijetesës duket se tani nuk është vetëm në ambientin që e rrethon ekipin.
Një gjë e tillë tani ka filluar që të ndihet edhe në vetë kampin shkodran. Natyrisht, kjo mund të ketë ndikimin e vet në ecurinë e takimeve deri në fund të kësaj pjese të parë të sezonit. Futja në stresin e pikëve do të ketë pa asnjë mëdyshje ndikimin e vet negativ te vetë lojtarët, e po ashtu edhe te stafi. Vendi i tetë do të thotë “play-out”, kështu që te Vllaznia rezultatet pozitive në disa ndeshje radhazi nuk mjaftojnë për të qenë të sigurt.
KALENDAR “FERRI”- Arritja e 26-27 pikëve që tekniku Jonuz priste të kishte deri në fund të dhjetorit, vështirësohet edhe me tepër kur shikohet kalendari që kuqeblutë kanë deri në fund të kësaj faze. Vllaznia do të udhëtojë në dy transferta radhazi, njëra më e vështirë se tjetra. Fillimisht do të luajë për javën e 14-të ndaj Luftëtarit në Gjirokastër, një kundërshtar që fitoren e ka jetike.
Më pas Vllaznia udhëton në Korçë përballë Skënderbeut. Kuqeblutë rikthehen në shtëpi në përballjen me Kukësin për javën e 16-të. Në vitet e fundit, verilindorët kanë dalë fitimtarë nga stadiumi “Loro Boriçi”, por kjo nuk do të thotë asgjë.
Kalendari duket më i ashpër, pasi Vllaznia do të udhëtojë më pas në një transfertë të vështirë në kryeqytet ndaj Partizanit kampion në fuqi. Ndërsa i vetmi takim i lehtë në letër duket se do të jetë ai i fundit të kësaj faze, pikërisht për javën e 18-të me Flamurtarin në Shkodër.