Nuk ka falje për Tërbunin. Edhe pse pukjanët shpresonin që të zhbëhej vendimi i dhënë nga Komisioni i Disiplinës dhe Etikës më datë 5 prill 2023.

REAGIMI – Në Pukë nuk e kanë pritur aspak mirë këtë vendim. Ata pretendonin se me faktet e paraqitura gjatë mbledhjes që zgjati katër orë të martën, të merrnin drejtësi. E megjithatë, klubi nuk do ta lë me kaq. Ata do t’i drejtohen Lozanës tashmë. Këtë e konfirmon për “Panorama Sport” edhe drejtori teknik. Viktor Gjoni mendon se drejtësia do të vendoset në vend.

“Besonim se do të fitonim drejtësi nga ana e Komisionit të Apelit. Donim shumë që këtë çështje ta zgjidhnin pa shkuar më larg. Morëm një ndëshkim sa të qëllimshëm aq edhe të padrejtë. Nuk e meritonte Tërbunin. Ka ndodhur edhe më keq me ekipe të tjera, por nuk e kanë pësuar si ne. Sidoqoftë, ne do t’i shkojmë deri në fund kësaj historie.

Tashmë kemi mundësinë që të ankimojmë në Lozanë. E ardhmja? Kam biseduar me trajnerin dhe lojtarët. Ata të qëndrojnë, pasi duam të jemi të gatshëm për sezonin e ri futbollistik. Një pjesë e tyre kanë kontratë dhe janë të gatshëm të kontribuojnë”, u shpreh drejtori teknik.