Java e 6-të e Superiores u mbyll mbrëmë me derbin e kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës. Një sfidë që u mbyll me rezultatin 0-2 për bardheblutë që luajtën me 10 lojtarë që nga minuta e 38-të, ku Lulaj u ndëshkua me të kuqe. E pikërisht ky duel tregoi se ky kampionat nuk ka një lider apo pretendent mbi të tjerët për momentin.

Kur pritej ndoshta një fitore e Partizanit dhe njëfarë shkëputje në krye të tabelës, diçka e tillë nuk ndodhi duke lënë shumë të ngjeshur kreun, ku të kuqtë kanë 12 pikë, të ndjekur nga Tirana, Bylis , Erzeni me nga 11 dhe Vllaznia 10.

Edhe duelet e tjera të kësaj jave treguan se diferencat në kampionatin tonë janë thuajse zero. Vllaznia, një prej pretendenteve të këtij edicioni, vuajti në Durrës përballë një Teute në krizë, duke lënë gjithçka në shifrat 0-0.

Po ashtu Erzeni që nuk kishte pësuar asnjë gol përpara këtij raundi, u “shkërmoq” nga Bylis në shifrat 4-1. Kukësi që ishte zhytur në fundin e tabelës arriti të “fundosë” Laçin. Ku pas fitores 0-1 në transfertë duket se kalon disi momentin negativ e ndërsa bardhezinjtë janë në vendin e fundit me 3 pikë. Barazpeshë totale edhe në ndeshjen Egnatia-Kastrioti.

Në duelin e ditës së shtunë në Rrogozhinë gjithçka përfundoi në shifrat 0-0. Një edicion ky i Superiores ku ende nuk janë shfaqur pretendentët real dhe ekipet kanë shumë luhatje në formën e tyre. Duket se konkurrenca do jetë kryefjala e këtij kampionati, ku diferencat me skuadrave duket se nuk ekzistojnë.

Endri ÇINARI