Vllaznia ka dy skuadra në dis pozicion dhe ky duket se është sezoni ideal për të pretenduar titullin kampion. Ndryshimet që kanë ndodhur në merkato dhe alternativat e shtuara në të gjitha repartet për trajnerin Tomas Brdariç, e bëjnë ekipin kuqeblu të frikshëm, veçanërisht në repartin e sulmit, aty ku janë në dispozicion plot 9 lojtarë me tipare ofensive.

Edhe pse duhen tri ditë nga mbyllja e merkatos, drejtuesit kuqeb lu duket se nuk kanë lënë ndonjë surprizë për momentet e fundit, pavarësisht se gjithçka mund të ndodhë me ndonjë afrim në mbrojtje. Gjithsesi, duke u bazuar te kontingjenti aktual, “Panorama Sport” ka bërë një vëzhgim për formacionin dhe lojtarët që Brdariç ka si alternativa për çdo pozicion në fushën e lojës.

PORTA – Zogoviç ka rinovuar kontratën dhe shihet si titullar i padiskutueshëm, por Qarri në çdo moment mund t’ia zërë vendin malazezit. Me trajnerin e portierëve, Ideal Lekiqi, po stërvitet edhe i riu tjetër, Shkoza. Stafi ka besim te Zogoviç, paçka se në Superkupë bëri një paraqitje për t’u harruar, duke pasur përgjegjësi te golat.

MBROJTJA – Gurishta dhe Hakaj nga krahët, si dhe Adili e Dianje janë të prirur për të qenë ata titullarët fiks të këtij sezoni. Mirëpo, Fangaj, Bulatoviç dhe të rinjtë Shimaj, Smajli e Paloka, kanë fituar jo pak kredite së fundmi, me Brdariçin që i ka aktivizuar edhe në Europë. Malazezi Bulatoviç mund të luajë edhe në qendër të mbrojtjes, krahas krahut të majtë, ndërsa Fangaj është një vlerë e shtuar.

MESFUSHA – Brdariç preferon më së shumti skemën 4-3-3, por shpesh luan edhe 4-2-3-1 apo 4-1- 4-1, duke iu përshtatur kundërshtarëve. Me afrimet e fundit mesfusha duket e blinduar, teksa konkurrenca nis me boshnjakët Heriç dhe Mustedanagiç, të cilët janë pikërisht dy numra 10 dhe në rolin e fantazistit.

Krymi dhe Jonuzi do të kenë gjithashtu alternativa serioze, pikërisht kosovarin Sadriaj, brazilianin Gustavo dhe shkodranin Uheid Hoxha. Një lojtar polivalent si Arsid Kruja mund të luajë gjithashtu në qendër të mesfushës, qoftë edhe si shkatërrues.

SULMI – Liridon Latifi është goditja e madhe e merkatos së Vllaznisë, teksa sulmuesi i krahut i shton cilësinë skuadrës. Mirëpo, në ekip janë edhe Kruja, Da Silva, Ardit Hoxhaj dhe Kalaja, që do të luftojnë për një vend nga krahët e sulmit.

Që Vllaznia e ka blinduar repartin ofensiv, kjo kuptohet nga konkurrenca e madhe për një vend në majën e sulmit, aty ku Gjurgjeviç, Aralica, Çoba dhe Kaina duhet të bindin Brdariçin , por vetëm një prej tyre do të luajë nga minuta e parë.