Vllaznia do të luajë ditën e nesërme ndaj Laçit, me një synim të vetëm, në kërkim të fitores. Shkodranët kanë vijuar përgatitjet intensive nën drejtimin e trajnerit Mirel Josa në pritje të ndeshjes së ditës së nesërme.

Realisht, duhet të jetë dita e Vllaznisë për t’u rikthyer edhe njëherë te rezultatet pozitive. Për ndeshjen kundër kurbinasve, trajneri Mirel Josa dhe stafi teknik kanë zhvilluar dje një seancë tekniko-taktike.

Vështirësia është e madhe dhe sidomos kur dihet që përballë kanë një kundërshtar si Laçi, që pavarësisht se është në vendin e parafundit në tabelën e renditjes, garon për një vend në mes më të mirëve. Megjithatë, të besuarit e Josës besojnë se do t’ia dalin. Skuadra po punon intensivisht.

Në takimin e nesërm, ekipi nuk do të jetë i plotë, duke mos i dhënë mundësinë Josës të përzgjedhë formacionin më të mirë. Kujtojmë se, ndaj Laçit, pritet të mungojnë Latifi, Jonuzi, Boshnjaku dhe Hakaj.

Ndërkohë, Heriç ka vazhduar përgatitjet normalisht me pjesën tjetër të grupit në stërvitje. Mesfushori boshnjak është drejt rikuperimit të plotë, teksa stafi mund ta ketë në dispozicion ndaj Laçit, por gjithsesi, gjithçka do të vendoset pak orë përpara takimit.

Nga ana tjetër, drejtuesit nuk mund të tolerojnë një tjetër haps fals. Kështu që, tre pikët janë objektivi i vetëm. Trajneri Josa është munduar që të mobilizojë grupin dhe hapur ka kërkuar reflektim për ndeshjet e rradhës, duke nisur nga përballja me Laçin. Misioni mbetet i qartë, pikët.

Kur kampionati ka hyrë në një fazë delikate, tashmë gabimet janë pothuajse të ndaluara. Ditën e nesërme, Vllaznia do të luajë ndaj Laçit, ku duhet të kthehet me patjetër te fitorja.
Maringlen ZHIVANI