Vllaznia do mbyllë këtë vit të aktivitetit futbollistik me ndeshjen e fundit kundër Kukësit. Një përballje direkte kjo për vendet e para të renditjes ku si shkodranët ashtu edhe kuksianët janë në ndjekje të Tiranës. Gjithashtu të dy skuadrat gëzojnë një formë të mirë në këtë periudhë.
Ndeshja kundër Kukësit i gjen kuqeblutë para “përgjegjësisë”. Kjo për ndalesën që patën në barazimin 0-0 kundër Dinamos në ndeshjen e javës së 14-të, por edhe faktin se luhet në Shkodër, në stadiumin “Loro Boriçi”. Një ndeshje ku patjetër nuk do mungojë as mbështetja e tifozerisë shkodrane.
Përpara kësaj ndeshjeje në kampin shkodran gjithçka duket e qetë. Edhe për faktin se si rrallë herë në këtë edicion, e gjithë skuadra është e gatshme për trajnerin Brdariç. Ekipi nuk vuan nga dëmtimet apo pezullimet. Ky një fakt që”ngroh” të gjithë duke parë edhe vështirësinë që paraqet përballja me Kukësin.
E gjithë organika e ekipit do jetë në dispozicionin e trajnerit gjerman dhe stafit të tij. Patjetër opsionet për të zgjedhur 11-tshen titullare shtohen dhe gjithashtu rivaliteti mes futbollistëve në stërvitje për të qenë pjesë e formacionit.
Ndeshja kundër Kukësit që është një nga rivalët e këtij sezoni ka rëndësi të madhe dhe tek Vllaznia duan që përballë tifozëve të tyre të bëjnë një mbyllje sa më ideale gë vitit.
Endri ÇINARI