Nga Endri ÇINARI
Vllaznia do jetë vizitore në kryeqytet në javën e 17-të të Superiores. Shkodranët pas fitores me Dinamon në fundjavën e shkuar, tashmë do kërkojnë edhe një tjetër rezultat pozitiv. Ndeshja ndaj bardhebluve patjetër ka një dozë më të lartë vështirësie se sa ajo ndaj dinamovitëve. Një takim që mund të ndryshojë humorin në dy kampet.
Megjithatë statistikat e transfertave të fundit në kryeqytet, flasin për shifra pozitive në favor të Vllaznisë. Kështu sezonin e kaluar, kuqeblutë morën dy fitore në kryeqytet. Një me rezultat 1-2 ku vendosën golat e Markut dhe Kainas. E po ashtu një tjetër me shifrat 0-1, ku sërish do ishte Marku ai që do vendoste rezultatin.
Tirana për herë të fundit ka fituar në shtëpi ndaj Vllaznisë në datën 14.05.2022. Ku bardheblutë fitonin me shifrat 3-1. Golat e Seferit, Totres dhe Xhixhes do i jepnin suksesin në atë ndeshje, skuadrës që më pas do shpallej kampione e vendit. Shifrat në vitet e fundit kanë qenë goxha të balancuara mes dy skuadrave.
Fakt që na garanton për një duel të fortë sërish ditën e dielë. Ku dueli pritet të jetë shumë interesant e po ashtu të tërheqë vëmendjen e sportdashësve si kryeqytetas, por ashtu edhe shkodranë.