Vllaznia i bëri një nisje të keqe kampionatit, duke u mundur në javën e parë nga Erzeni me shifrat minimale 1-0, por më pas erdhën dy fitore rradhazi ndaj Kukësit dhe Tiranës. Poashtu, shkodranët arritën të marrin edhe një tjetër trepikësh ndaj Kastriotit. Këto janë edhe tre fitoret e ekipit të trajnerit Mirel Josa deri më tani në tetë javë kampionat.

Për herë të fundit në kampionat, shkodranët kanë provuar shijen e fitores më 18-shtator, pikërisht ndaj krutanëve dhe një muaj pa fitore, është një situatë që nuk ka ndodhur te Vllaznia që nga marsi i sezonit të fundit.

Ditën e sotme, kuqeblutë luajnë një ndeshje delikate në stadiumin “Loro Boriçi”, aty ku presin Bylisin. Synimi i Vllaznisë dhe i trajnerit Mirel Josa është me patjetër fitorja për t’u kthyer sa më parë tek rezultatet pozitive.

Ndërkohë, ndeshja e sotme Vllaznia-Bylis, do të luhet duke filluar nga ora 18:45 dhe do të transmetohet live në kanalet e platformës “OverSport”.
Maringlen ZHIVANI