Ish-kapiteni i Vllaznisë, Gilman Lika, u del në mbrojtje sulmuesve kuqeblu, të cilët në këto tetë javë kampionat kanë shënuar vetëm tre gola. Ardit Hoxhaj ka realizuar dy herë, Kaina Nunjes një herë, ndërsa Ante Aralica ende nuk e ka bërë “sefte” këtë sezon. Golashënuesi më i mirë i skuadrës për momentin është një mesfushor dhe pikërisht Herald Marku me tre gola, ndërsa një herë ka realizuar edhe Elvedin Heriç.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-lojtari me tipare ofensive tregon se në këtë situatë nuk duhet fajësuar vetëm reparti i sulmit. Sipas tij, për të ndryshuar situatën, Vllaznia duhet të bëjë diçka komplet si skuadër në fazën e sulmit. Lika, i cili këtë sezon drejton si trajner ekipin U-17 të Vllaznisë, pret akoma më shumë nga futbollistët shkodranë, të cilët mendon se janë ndër më të mirët në kampionatin shqiptar sa i përket cilësisë që kanë.


Gilman, si e keni parë ndeshjen e fundit të Vllazninë në Laç, a mund të themi se barazimi është OK?

Një barazim kundër Laçit në transfertë nuk mund të konsiderohet një rezultat negativ, madje unë do ta quaja të kënaqshëm për vetë pozitat në të cilat ndodhet kundërshtari. Gjithashtu, edhe për vështirësitë që Vllaznia ka hasur shpesh në këtë fushë gjatë viteve të kaluara. Ekipi edhe mund ta fitonte ndeshjen, sepse pas atij goli të pësuar reagoi shumë shpejt me Herald Markun dhe më pas edhe mund të kishim marrë më tepër. Kishte edhe dy mundësi që mund të shfrytëzoheshin më mirë.

Ju bind kjo lojë që po bën Vllaznia?

Nëse i referohemi ndeshjes së fundit, pash shkëndija pozitive nga ekipi. Pra, sikur kishte një ritëm më ndryshe nga javët e shkuara. Pika në Laç ka vlerë, por unë pres më shumë nga lojtarët e Vllaznisë. Duke parë futbollistët që skuadra ka në përbërje, për mua janë ndër më cilësorët në kampionatin shqiptar. Patjetër që me këtë kualitet duhet të pretendohet edhe për titullin deri në fund.

Çfarë nuk ka shkuar deri tani sipas jush që skuadra nuk është në krye?

Vllaznia krijon pak, duke parë cilësinë që ka. Skuadra duhet të krijojë akoma më tepër për të marrë pikët maksimale.

Sulmi po çalon më tepër në këto tetë javë, madje nga 7 gola të shënuar në total, tre prej tyre i ka realizuar mesfushori Herald Marku…

Nuk duhet fajësuar vetëm reparti i sulmit, por mendoj se është përgjithësi e gjithë skuadrës. Pa diskutim që pesha më e madhe i bie lojtarëve që janë afër portës, sepse kanë humbur disa raste të pastra. Për mendimin tim, duhet rregulluar diçka komplet si skuadër në fazën e sulmit, që të krijojmë sa më tepër raste para portës. Sulmuesit e mirëfilltë dhe mesfushorët me tipare ofensive, duhet të punojnë çdo ditë me situatat para portës, në mënyrë që të përmirësohen sa më shumë për të shfrytëzuar çdo rast që u del. Vetëm këtu e shikoj që duhet të përmirësohemi si ekip dhe të shënojmë më tepër gola.

Në këtë periudhë thuajse asnjëherë skuadra nuk ka qenë e plotë prej mungesave për shkak dëmtimesh, sa mund të ketë ndikuar kjo?

Pa diskutim që kjo ka ndikuar në rezultatet e ekipit, sepse të gjithë ata që kanë munguar, pa përjashtim, janë lojtarë me peshë në ekip dhe po flasim për 50 apo 60% të formacionit dhe nuk është pak, por janë shumë.

Të premten Vllaznia pret Bylisin në Shkodër, si e shikoni këtë përballje?

Kalendari duket i mirë, sepse do të jenë radhazi Bylisi dhe Erzeni në Shkodër. Pra, dy përballje njëra pas tjetrës që do të na japin mundësinë për t’u ngjitur në tabelën e klasifikimit.


Shpesh ka vuajtur ndaj kundërshtarëve të tillë Vllaznia, duke lënë pikë…

Nuk mund të nënvlerësohet askush, sepse skuadrat nuk kanë diferenca të mëdha mes tyre, por Vllaznia duhet me patjetër t’i fitojë këto dy ndeshje. Qoftë edhe me një lojë jo të mirë, pasi në këto momente ekipi ka nevojë për pikë që mund t’i japin shumë moral në të ardhmen. Kam besim që do të arrijmë një fitore këtë javë ndaj Ballshit dhe më pas të mendojmë për takimin e radhës me Erzenin.