Vllaznia nuk po kalon një formë të mirë dhe barazimi i fundit në Shkodër ndaj Partizanit, ia shtoi edhe më shumë këtë ecuri negative.

Synimi i skuadrës së drejtuar nga Elvis Plori është të futet në Europë nga kampionati, prandaj edhe takimi i sotshëm me Skënderbeun në shtëpi, është shumë i rëndësishëm për vazhdimësinë. Në Shkodër besojnë shumë se janë të aftë ta mundin Skënderbeun.

Kalendari nuk është i favorshëm, pasi në vijim shkodranët do të kenë një ndeshje me Dinamon dhe pastaj një tjetër ndeshje direkte me rivalin e vendit të tretë, Kukësin, në Shkodër. Më pas, përveç ndeshjes me Tiranën, do të përballen me ekipe që synojnë mbijetesën, si Egnatia dhe Kastrioti, teksa kjo e fundit duket më e shkëputur tashmë.

Gjithsesi, cilësia që ka grupi i futbollistëve ka mbushur me besim stafin se do të rikthehen në ecurinë pozitive të rezultateve. Tashmë, duhet një sforco në sprintin final të sezonit dhe tek Vllaznia e kanë të qartë se duhet të bëjnë maksimumin.
Maringlen ZHIVANI