Vllaznia ka vijuar përgatitjet që prej së hënës për ndeshjen e javës së pestë, të cilën do ta zhvillojë të dielën në shtëpi ndaj Kastriotit. Pas humbjes ndaj Egnatias, atmosfera në skuadrën shkodrane që drejtohet nga trajneri Mirel Josa, nuk ka qenë fort e mirë.

Ndërkohë nga ana tjetër, për ndeshjen me krutanët, shkodranët nuk do ta kenë kontigjentin e plotë, pasi Latifi dhe Boshnjaku kanë pasur probleme me dëmtimet dhe nuk janë akoma në formën optimale.

Sa i takon përballjeve me Kastriotin, ato kanë qenë të luftuara ndër vite, por sezonin e shkuar shkodranët kanë triumfuar në tre nga katër ndeshjet e luajtura, ndërsa krutanët kanë arritur të fitojnë vetëm një.

Vllaznia, në katër javët e zhvilluara deri më tani, ka arritur që të marrë dy fitore dhe ka humbur dy herë, në fillim ndaj Erzenit dhe tashmë së fundmi ndaj Egnatias. Kjo ecuri në ndeshjen e fundit ndaj rrogozhinasve nuk pritej që të ndodhte dhe në kampin shkodran, i mërziten disi faktit që ka pasur oshilacione.

Megjithatë, trajneri Josa ka krijuar një skuadër kompakte dhe këtë e treguan fitoret që shkodranët arritën ndaj Kukësit dhe Tiranës dy javë më parë. Të dielën, me Kastriotin do të kërkohet një tjetër triumf në Shkodër.
Maringlen ZHIVANI