Vllaznia do presë Kastriotin në javën e 5-të të Superiores. Shkodranët që vijnë pas një humbjeje kundër Egnatias në shifrat 3-0, do kërkojnë reagimin përballë krutanëve. Ku me patjetër pritet fitorja, në një moment ku ambienti duket i “nxehtë” në Shkodër pasi të gjithë kërkojnë vetëm fitore nga kuqeblutë.

Dhe përballë do jetë Kastrioti, një kundërshtar aspak komod dhe që vjen pas 3 rezultateve pozitive. Ku ekipi i drejtuar nga Çela ka barazuar 0-0 ndaj Erzenit dhe Tiranës e ndërsa ka fituar edhe 1-2 kundër Kukësit.

Jo vetëm forma aktuale, por edhe ajo çfarë ka ndodhur në dy sezonet e fundit në “Loro Boriçi” bën që krutanët të jenë të “sikletshëm”.

Kjo pasi në sezonin e shkuar një fitore me përmbysje në shifrat 1-2 e Kastriotit kundër Vllaznisë, komplikoi shumë Europën për shkodranët. Që u kualifikuan në Conference League vetëm sepse arritën të fitonin kupën e Shqipërisë. E po ashtu para dy edicionesh, krutanët do ishin sërish “ters”.

Ata arrinin një barazim 0-0 në “Loro Boriçi”, që ndoshta në fund ndikoi shumë në llogaritë e kampionatit. Pasi Vllaznia do ishte nën kampione me pikë të barabarta me Teutën, që triumfonte falë golavarazhit.

Një “mace e zezë” nëse mund ta quajmë kështu, por që të dielën të gjithë presin suksesin e Vllaznisë. Për tu kthyer në rrugën e fitoreve dhe vendeve të para në renditje.
Endri ÇINARI