Kombëtarja e Shqipërisë U-17 ka zhvilluar pasditën e djeshme miqësoren e dytë të programuar ndaj Maqedonisë së Veriut U-17, e cila është luajtur në stadiumin “Elbasan Arena”. Ndryshe nga miqësorja e pak ditëve më parë, kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Ervin Bulku kanë triumfuar këtë herë, duke fituar me rezultatin 2-0.

Shqipëria U-17 e nisi ndeshjen me këtë formacion titullar: Dervishi, Koleci, Kurti, Damini, Selmani, Kashari, Jaku, Vraniçi, Metaj, Bode dhe Sulejmani. Ashtu siç shikohet, në fushë nga minuta e parë si titullar ka qenë edhe futbollisti i Akademisë Vllaznia, Egert Selmani, i cili thuhet se ka bërë një ndeshje shumë pozitive.

Për të kaluar tek rastet e takimit, Kombëtarja e Shqipërisë e nis mirë ndeshjen, duke gjetur edhe golin e avantazhit me anë të Flavio Sulejmanit, i cili realizoi në minutën e 15-të, duke çuar shifrat në 1-0. Kuqezinjtë janë vazhdimisht superiorë dhe dominojnë sfidën, duke merituar edhe avantazhin.

Në pjesën e dytë, trajneri Bulku bën shumë zëvendësime, teksa vjen edhe goli i dytë me autor sërish Sulejmanin, që tund rrjetën në minutën e 52-të. Sfida duket sikur komplikohet me daljen me karton të kuq nga loja e Jordi Jakut, i cili merr kartonin e dytë të verdhë.

Gjithsesi, kuqezinjtë arrijnë të menaxhojnë lojën, madje i afrohen edhe golit të tretë me të zakonshmin Sulejmani, i cili godet traversën. Shqipëria U-17 arrin të mbrojë rezultatin deri në fund, duke fituar 2-0 me protagonist kryesor Sulejmanin.

Në miqësoren e 12-shatorit të luajtur në stadiumin e Strugës, Kombëtarja U-17 barazoi me rezultatin 3-3 me Maqedoninë e Veriut, me golat e Sulejmanit dhe dopietën e Adi Kurtit.
Maringlen ZHIVANI