Kupa e Shqipërisë do të startojë ditën e sotme me takimet e para të turit paraeleminator. Në këtë tur, do të luhet edhe ndeshja Veleçiku-Murlani, e cila po pritet me shumë interes.

Derbi verior do të luhet ditën e sotme në qytetin e Koplikut, duke filluar nga ora 15:00. Të dyja skuadrat vijnë në këtë përballje me ndryshime në stafet teknike, teksa Veleçiku ka emëruar trajner Dritan Smajlin që ka zëvëndësuar Haris Likën pas largimit, ndërsa në krye të Murlanit është vendosur trajneri Vahedin Pepaj, duke zëvëndësuar Altin Xhahysën.

Si Smajli, ashtu edhe Pepaj kanë kaluar një karrierë të gjatë sportive si futbollistë në fushë, teksa tashmë sapo kanë nisur edhe karrierën e tyre si trajnerë.

Interesant është fakti se, trajneri Pepaj është si futbollist i federuar me ekipin e Murlanit, gjë në të cilën në rast nevoje të skuadrës, mund ta aplikojë edhe gjatë sezonit për të qenë sa më pranë ekipit të tij në fushën e lojës.

Për këtë takim, Veleçiku është favorite në letër për fitore, duke u bazuar edhe në përbërjet e futbollistëve që skuadrat kanë në dispozicion, por për këtë objektiv futet edhe Murlani në fushën e lojës. Ndeshja Veleçiku-Murlani do të luhet pasditën e sotme në impiantin “Vëllezërit Duli” në qytetin e Koplikut, duke nisur nga ora 15:00.
Maringlen ZHIVANI