Presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, ka folur për MCN TV në emisionin “Skaner”, teksa u ndal te humbja e fundit ndaj Egnatias me rezultatin 3-0, për të cilën tha se nuk kapërdihet, por shtoi se është bërë një analizë e thellë për të ardhmen.

Xhaferi sqaroi edhe çështjen e sulmuesit Mehdi Çoba, i cili në ndeshjen e fundit kishte një përplasje me një tifoz. I pyetur për titullin, numri një i shkodranëve, deklaroi se është herët për të folur për këtë temë, por shtoi se është një objektiv i kuqebluve.

Poashtu, presidenti Xhaferi u shpreh se qëllimi i skuadrës është të rikthehet te fitorja që në ndeshjen ndaj Kastriotit, ndërsa theksoi se Vllaznia është gjithnjë pretendente, duke parë emrin që ka.

“Humbja me Egnatian? Është një proçes pune, kemi bërë një analizë shumë të thellë. Loja ishte një lojë që nuk përtypej. Nëse me Erzenin nuk morëm parametrat e duhur, ishte fillimi i kampionatit apo edhe moskolaudimi i grupit, ndeshja me Egnatian në Rrogozhinën nuk kalohej.

Analiza ishte e thellë, me qëllimin që skuadra të rikthehet te fitorja. Ne do mundohemi të luajmë sa më pastër dhe sa më drejt dhe mundohemi t’i pranojmë të tre rezultatet, por mënyra si e humbëm ndeshjen, lë për të dëshiruar. Shpresoj të kemi një ringritje dhe motivim dhe Vllaznia të vazhdojë drejt objektivave.

Është shumë herët për të folur për titull. Vllaznia është gjithnjë pretendente, duke parë emrin që ka. Çdo ndeshje të merret me shumë seriozitet. Nuk i mungon asgjë skuadrës. Jemi munduar të plotësojmë gjithçka.

Çështje Çoba? Unë kam folur edhe me disa tifozë dhe me futbollistin dhe me sa kam unë informacion, ka pasur një përplasje mes Çobës dhe një tifozi. Madje mesa më kanë thënë, kanë edhe njohje familjare me njëri-tjetrin. Kemi folur me lojtarin dhe kemi thënë që në këto situata duhet të dalim me kokën ulur, sidomos në këto rezultate që kanë të papranueshëm për ne. Tifozi është i shenjtë. Çështja e Çobës është një çështje individuale, që i përket një tifozi.

Ne duam që titullin ta marrim në Shkodër, për këtë po punojmë. Futbolli prandaj është i bukur, sepse i ka të gjitha rezultatet”,-mbylli prononcimin e tij, presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi.
Maringlen ZHIVANI