HomeFUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREVllaznia mendon ta largojë, Tirana gati ta 'rrëmbejë' sulmuesin kroat

Vllaznia mendon ta largojë, Tirana gati ta ‘rrëmbejë’ sulmuesin kroat

Ante Aralica pritet të prishë marrëveshjen me Vllazninë, por skuadra të tjera shqiptare mund të përfitojnë për afrimin e sulmuesit. “Panorama Sport” mëson se sulmuesi kroat që është pjesë e shkodranëve pëlqehet nga disa ekipe në Superiore, një prej të cilave Tirana.

Drejtuesit bardheblu vlerësojnë sulmuesin, paçka se ai nuk ka pasur hapësira tek ekipi i Josës, por deri tani nuk kanë bërë asgjë për shkak të aktivizimit të paktë. Deri tani nuk ka një pistë konkrete, pasi gjërat mbeten vetëm në kuadrin e pëlqimeve dhe të kushtëzuara nga faktorë të tjerë.

Për më tepër që Aralica ka kontratë me Vllazninë dhe nuk dihen dëshirat e tij nëse e prish marrëveshjen me shkodranët apo nuk dëshiron të luajë më në Shqipëri.

Vetëm pasi të jetë i lirë, Tirana dhe skuadrat e tjera mund të flasin për diskutime me Aralicën. Së fundmi, në Shkodër është diskutuar se ai që mund të largohet është sulmuesi Ante Aralica.

Këtij të fundit i mbeten edhe gjashtë muaj kontratë dhe nisur nga performanca në pjesën e parë të këtij sezoni, gjasat janë që të shkohet drejt prishjes së marrëveshjes me mirëkuptim.

Megjithatë, për momentin ende nuk ka asgjë konkrete dhe gjithçka pritet të mësohet në ditët e para të janarit, kur edhe drejtuesit të bëjnë bisedime konkrete me kroatin. Në fitoren e fundit ndaj Teutës, Aralica nuk u aktivizua fare dhe Josa preferoi të luante me brazilianin Kaina në majën e sulmit.

PËRSHTATJA – Kroati, edhe pse nuk është golashënues “dok”, mund të jetë shumë i vlefshëm për Tiranën në qendër të sulmit. Prej largimit të Ngosë dhe De Silvës, Tirana ka humbur peshë në sulm dhe rolin e qëndrorit në repartin e avancuar po e bën Patrik.

Gjithsesi, ardhja e Aralicës, gjithmonë nëse dëshirat e drejtuesve të Tiranës janë ende të njëjta mund të bëjë që mënyra e të luajturit të ndryshojë.Aralica është një qendërsulmues dhe mund të ndihmojë shumë në repartin e avancuar për të furnizuar krahët.

Tej pikëve, Tirana dominon ndaj të gjithë Superiores, sepse është skuadra më e mirë në sulm me 59 gola të shënuar dhe 26 gola të pësuar në vitin 2022.Bardheblutë kanë edhe golashënuesin e momentit në Superiore, Redon Xhixhën, si dhe kanë mbrojtjen më të mirë në kampionat.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments