Këto ditë të nxehta qershori duhej të ishin shumë të ngarkuar për drejtuesit e Vllaznisë, në përpjekjet e tyre për të ndërtuar skuadrën e sezonit të ardhshëm në Superligë, në fakt krejt papritur shfaqen sërish probleme. Drejtori sportiv Engin Firat përmes mediave ka bërë të ditur se kontrata e tij me Vllazninë I ka përfunduar dhe ende askush nuk I kishte ofruar rinovim.

Kjo gjë mori vëmendjen e duhur nga media dhe opinion sportiv, por në fakt duket një lëvizje e çuditshme sepse vetëm 3-4 ditë më parë, ai dhe administratori I klubit Suad Lici, kanë patur një takim me kryebashkiaken Ademi prej së cilës kanë marrë garancinë për të vijuar punën për ndërtimin e skuadrës me të cilën Vllaznia do të përfaqësohet në Superligë në sezonin e ri.

Burime pranë klubit shkodran bëjnë të ditur madje se dyshja Lici- Firat kanë nisur edhe punën për merkaton, por krejt papritur vjen lajmi se drejtori turk mund të lërë kuqeblutë.

Një deklaratë që ka gjetur ndoshta të papërgatitur drejtuesit e tjerë të klubit megjithatë në ditët në vijim do të mësohet më shumë në lidhje me këtë çështje nëse kontrata me Firat do të rinovohet apo pozicioni I drejtorit sportiv do të mbetet bosh.

E rëndësishme në fakt është që puna të vijojë për ndërtimin e skuadrës, duke nisur nga konfirmimi I trajnerit dhe më pas edhe I lojtarëve që do të përfaqësojnë Vllazninë në sezonin e ri.
© shkodrasport.com