Kampionati kombëtar i hendbollit do të startojë më 21 janar dhe ekipi i Vllaznisë do futet në të me pretendime serioze. Pavarësisht problemeve të shumta që ai ka, fatmirësisht pranë tij gjenden shpeshherë edhe ish- sportistë të cilët kontribuojnë në mënyra të ndryshme dhe rasti më i fundit është ai i ish- hendbollistit Nikolin Karroca që ka sponsorizuar fanellat e reja me të cilat ekipi do të përfaqësohet në kampionat. Zëvendëstrajneri i Vllaznisë Arian Ibërshimi për mediat ka prezantuar edhe uniformat e reja duke falenderuar edhe ish- kolegun e tij.

“Ne jemi duke u bërë gati për kampionat dhe pikërisht në këto ditë, një ish- hendbollist i Vllaznisë, pikërisht Nikolin Karroca, na ka sponsorizuar blerjen e uniformës së re të lojës me të cilën do të përfaqësohemi në kampionat. Të them të drejtën ky është një kontribut i rëndësishëm për ne sepse ky person por edhe disa ish- hendbollistë të tjerë, po na qëndrojnë shumë afër dhe kjo është një nxitje për ne”- është shprehur ai. Nga ana tjetër, ish- hendbollisti Nikolin Karroca ka thënë se kontributi i tij është modest dhe bashkë me kolegë të tjerë do mundohet t’i gjendet pranë këtij ekipi. “Mendoj se ishte një kontribut modest ky sponsorizim që bëra për këtë ekip i cili po mbahet me shumë sakrifica nga trajnerët e tij. Besoj se edhe në të ardhmen do të vazhdojmë të jemi edhe më afër. Unë jam ndër hendbollistët e parë të Vllaznisë që jemi stërvitur nën drejtimin e trajnerit Lekë Sinishta por ajo traditë u prish për njëfarë periudhe dhe përpjekjet për ta ringritur këtë sport, duhen mbështetur”- ka thënë ish- pjestari i Vllaznisë, tashmë biznesmen. Në kampionatin e sivjetëm që starton më 21 janar, do të marrin pjesë 6 ekipe dhe Vllaznia ndeshjen e parë do ta luajë ndaj ekipit fitues të Kupës në fuqi, atij të Cërrikut, ndaj të cilit do të kërkohet fitorja.
© shkodrasport.com