Fitorja e parë për Elvis Plorin në kampionat, më në fund ka ardhur. Tekniku shkodran heq një peng të rëndësishëm që kishte nisur ta përndiqte, ndërkohë që për vetë skuadrën përveçse një motiv çlirimi, vjen në momentin e duhur për të nisur sprintin final për Europën. Ndaj Skënderbeut Vllaznia siguroi trepikëshin e parë pas 7 ndeshjesh, një seri e gjatë që ka mundësuar parakalimin e Partizanit në garën për Europën.
Një sukses aspak i lehtë edhe pse ndaj vendit të fundit të klasifikimit, por shumë i rëndësishëm për shanset e formacionit shkodran për të siguruar pjesëmarrjen në kompeticionet kontinentale nga kampionati, diçka për të cilën do t’ju mjaftonte edhe vendi i katërt në klasifikim, duke qenë se janë në finalen e Kupës së Shqipërisë.
Aktualisht kuqeblutë ndodhen në vendin e pestë, vetëm një pikë më pak se Partizani dhe Kukësi që ndodhen para tyre, dhe këtë mesjavë, kanë shansin ideal për të përfituar një pozicion në renditje, duke patur si aleat edhe kalendarin. Raundi i 32-të i Abisnet Superiores, nis me përballjen direkte të rivalëve të Vllaznisë, luhet Kukësi – Partizani, dhe sido që te jetë rezultati, një fitore për të kuqtë apo verilindorët, i jep Vllaznisë shansin për të parakaluar skuadrën humbëse, me një fitore të enjten ndaj Dinamos.
Nëse në Kukës përfundon në barazim, aq më mirë, pasi Vllaznia kështu do ti mund ti parakalojë të dyja skuadrat me një fitore të enjten. Dinamo shkon në sfidën me skuadrën e Plorit në krizë të plotë, blutë vijnë pas 7 humbjesh radhazi, dhe kanë humbur çdo shpresë për mbijetesën, një detaj më shumë në favor të Vllaznisë, që gjithsesi duhet të përqendrohet si për një finale, pasi kalendari më pas vështirësohet me sfidën direkte me Kukësin dhe derbin e Shqipërisë me Tiranën, ndaj kjo është mesjava vendimtare për një parakalim vendimtar në klasifikim, duke u pozicionuar në vendet që sigurojnë Europën.