Federata Shqiptare e Futbollit vendosi që të gjitha ndeshjet e Kategorisë Superiore në tre javët e fundit, të zhvillohen në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën orë, për të pasur barazi gare. Një vendim i cili në fakt i krijon pak probleme institucionit të futbollit, pasi në teori, nuk ka në dispozicion sisteme VAR për të mbuluar njëkohësisht të 5 sfidat e elitës.

FSHF disponon vetëm 3 furgonë për zhvillimin e ndeshjeve me sistemin VAR, ndaj për të luajtur 5 të tilla në të njëjtën orë, krijohet një problem jo i vogël logjistik sepse nuk i mbulon do të gjitha. FSHF e ka zgjidhur këtë duke marrë borxh furgonë për sistemin VAR.

“Panorama Sport” ka zbuluar se FSHF i është drejtuar për ndihmë Federatës së Kosovës, duke garantuar nga kjo e fundit dy furgonët që i duhen për të mbyllur aktivitetin në mënyrë normale.

Akordi mes palëve është arritur shpejt dhe kështu, është bërë e mundur që të gjithë ndeshjet të zhvillohen me ndihmën e video-asistentit deri në mbyllje të kampionatit.